Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njoftoi se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për një muaj për të pandehurin me inicialet T.K.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pohohet se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.08.2024, rreth orës 17:45, para objektit të drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë, me dashje dhe me qëllim që të bëjë shkatërrim të objektit dhe të automjeteve zyrtare, ka shkaktuar dëm material dhe rrezik të madh për jetën e zyrtarëve policorë.
Sipas arsyetimit të Prokurorisë, në ditën kritike, i pandehuri T.K., i pajisur me katër shishe të mbushura me benzinë dhe vaj të djegur, afrohet tek objekti i policisë dhe i hedh të gjitha shishet në drejtim të objektit, të cilat përfundojnë në dy automjete zyrtare të policisë ku të njëjtat i kaplon zjarri.
Me shpejtësi kanë reaguar zyrtarët policorë, të cilët kanë shuar zjarrin dhe arrestuar të pandehurin, i cili ishte duke u larguar nga objekti i policisë.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri, ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së” thuhet në njoftim të Prokurorisë.