Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Media në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, por që të cilët kanë ikur nga duart e drejtësisë.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, mësohet se kanë rënë në pranga të Policisë disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Njëri prej tyre, është edhe Florim Rexhepi, 29-vjeçar, i cili është kapur nga Njësia e Reagimit të Shpejt në Prishtinë.
Pas verifikimit, rezultoi se ndaj tij ka dy urdhëresa aktive, të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
I njëjti ishte në listën e personave të kërkuar lidhur me disa raste të mëhershme.
Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, Rexhepi është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për ta vuajtur dënimin me burgim.