Grabitje në pompën DHF në Klinë: Hajnat e maskuar kapin 3 mijë euro nën kërcënimin e AK-47

Kronikë e zezë

Grabitje në pompën DHF në Klinë: Hajnat e maskuar kapin 3 mijë euro nën kërcënimin e AK-47

Më: 17 shtator 2024 Në ora: 14:13
Foto ilustrim

Pompat e derivateve në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, në pikën e pompës DHF në fshatin Volljakë të Klinës, dy persona të armatosur kanë kryer grabitje.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hajnat e maskuar kanë arritur që të marrin rreth 3 mijë euro nga pazari ditor, nën kërcënimin e armëve AK-47.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar punëtorët e kompanisë, të cilët kanë deklaruar se dy të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat