Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Shumë gra vendosin t’i ndajnë rrugët me burrat abuzivë, por as në këtë formë nuk arrijnë të shpëtojnë nga problemet.
Media mëson se në hall me ish bashkëshortin e saj është edhe një grua nga Peja, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme, pas seancës gjyqësore.
Bazuar në informacionet e para, ish burri i saj me të përfunduar seanca që kishin pasur, i ka shkuar nga pas dhe e ka kërcënuar seriozisht, duke iu drejtuar me fjalët se “shpirtin kom me ta marrë”.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe e frikësuar, viktima e ka raportuar rastin, me ç’rast ka bërë të ditur se edhe më parë i dyshuari ka ushtruar ndaj saj dhunë psikike.
Si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.