Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve V.C dhe Sh.C, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale bashkëkryerje e pastrimit të parasë dhe mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Dyshohet se të pandehurit V.C. dhe Sh.C. në bashkëkryerje që nga periudha kohore nga 2011 e në vazhdimësi për përfitime vetanake, kanë falsifikuar dokumente përmes të cilave kanë bartur në mënyrë të kundërligjshme pronësinë e paluajtshmërive të shumta në Komunën e Prishtinës, në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilat më pas i kanë shitur ose tjetërsuar në mënyra të ndryshme.
Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe përsëritja e veprave penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.