Denoncimi për të shtëna me armë zjarri në fshatin Muradem të Prizrenit aktivizoi Policinë të dielën paradite. Njësitë policore që intervenuan në vendin e ngjarjes arritën ta ndalojnë personin e dyshuar, por ndonëse nuk u konfirmua se shkrepi armën, atij iu gjet municion.
I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar hetimi.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në pranga është Shkelzen Berisha.
Berisha e ka mohuar para Policisë së ka gjuajtur me armë, por pas kontrollit policor në veturën e tij u kap municion.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, zyrtarët policorë kanë gjetur rreth 20 fishekë, që i dyshuari i mbante ilegalisht.
Provat e gjetura në vendngjarje janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.