Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Lokalet e ndryshme, përfshirë marketet e qendrat e mëdha tregtare jo rrallëherë janë cak.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në ‘Eurostore’ në Fushë Kosovë, ku pronari ka kërkuar ndihëm e Policisë, duke e raportuar një rast të vjedhjes.
Siç merr vesh media, një grua është zbuluar nga kamerat e sigurisë, duke vjedhur një qese të mbushur me para, brenda hapësirave të lokalit.
Bazuar në informacionet e mbara, bëhet fjalë për mbi 3 mijë euro para të gatshme, që e dyshuara i kishte ‘avulluar’ dhe ishte larguar nga dyqani.
Por si rezultat i denoncimit, Policia arriti ta identifikojë gruan e dyshuar, e cila është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me rastin e kontrollit, te e njëjta janë gjetur vetëm gjysma e parave që i kishte vjedhur.
Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.