Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në rrugën “Avdi Kelmendi” në Lipjan, ku një motoçiklist ka goditur një këmbësor dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Siç mëson Sinjalin, viktima është një burrë 68-vjeçar, i cili është dërguar tashmë për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Bazuar në informacionet nga burimet brenda QKUK-së, viktima është në gjendje kome.
Lidhur me rastin, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe shoferi i dyshuar i motoçikletës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Kujtojmë se numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues.
Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.