Një aksion i Njësisë së Antidrogës që u zhvillua mëngjesin e sotëm në Prizren, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve. Sot u raportua se gjatë operacionit u zhvilluan edhe bastisje, me ç’rast u sekuestrua një sasi e drogës.
Kontrollet u kryen në rrugën “Ersan Mazreku”, te lokali ‘Rent Labi’, pasi Antidroga fillimisht ndaloi të dyshuarin, i cili u kap me një sasi të drogës.
Media ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Arnel Aslani, 28-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Në lokalin që u bastis, Policia gjeti drogë të llojit marihuanë dhe kokainë, që dyshohet se ka qenë e përgatitur për shitje dhe shpërndarje.
Përveç narkotikëve, Policia ka sekuestruar edhe veturën e të dyshuarit, thikë, fishekë, të holla e pajisje për përgatitjen e drogës – që do të shfrytëzohen si prova materiale.
I dyshuari u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku u intervistua për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 28-vjeçari u dërgua në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prere nga gjykata.