Plagosja në Ballsh, i moshuari jetonte me nusen e djalit, i riu iu fut natën në shtëpi, më pas ...

Kronikë e zezë

Plagosja në Ballsh, i moshuari jetonte me nusen e djalit, i riu iu fut natën në shtëpi, më pas ...

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 22:17
Pamje nga vendi i ngjarjes

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me konfliktin e ndodhur mes fqinjve në Ballsh, ku 76-vjeçari Agur Beqiraj plagosi me mjet prerës (thikë) dy vëllezërit Elis dhe Juli Pashaj.

Burime bëjnë me dije se Policia e Mallakastrës është njoftuar nga stafi mjekësor i spitalit të Ballshit, i cili raportoi se ishin paraqitur me plagë në pjesën e krahut dhe kokës dy shtetas.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune, ndërsa pas njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital për të marrë në pyetje dy vëllezërit e plagosur.

Pasi u shoqëruan në Polici, dy të rinjtë deklaruan para oficerëve të policisë gjyqësore se ishin konfliktuar me njëri-tjetrin, duke tentuar që të fshihnin rrethanat e ngjarjes.

Duke u nisur nga deklarimet kontradiktore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Policia e Mallakastrës bëri të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Burime bëjnë me dije se familja e dy vëllezërve jeton në katin e parë të një pallati, në lagjen "28 Nëntori" të Ballshit, dhe familja e të moshurit banon një kat më lartë, në katin e dytë, sipër shtëpisë së dy të rinjve të cilët jetojnë me prindërit.

Burime konfidenciale thonë se 26-vjeçari Juli Pashaj është futur gjatë natës në banesën e të moshuarit i cili ka konstatuar të riun brenda shtëpisë. Zhurmat e përplasjes mes të moshuarit dhe 26-vjeçarit i dëgjoi nga kati i parë vëllai i këtij të fundit, i cili i shkoi në ndihmë vëllait të vogël.

I moshuari dyshohet se ka plagosur me thikë duke tentuar të vrasë dy të rinjtë, teksa ende nuk dihen me saktësi arsyet e futjes së të riut në banesën e 76-vjeçarit gjatë orëve të vona të natës. Mësohet se 76-vjeçari jetonte me bashkëshorten e tij dhe me nusen e djalit së bashku me dy fëmijët e saj, pasi djalin e ka emigrant në Greqi. Edhe pse fqinjët kanë pohuar paraprakisht se i kanë ngacmuar nusen e djalit, nuk përjashtojnë dhe një tentativë për vjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat