Grabitet një grua, hajnat ia marrin çantën me para e dokumente dhe zhduken

Kronikë e zezë

Grabitet një grua, hajnat ia marrin çantën me para e dokumente dhe zhduken

Më: 15 tetor 2024 Në ora: 07:23
Foto ilustrim

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Viktimë e grabitjes ka qenë mbrëmë një grua në Prishtinë, e cila është përballur me disa persona që ia zunë pritën dhe arritën t’ia marrin çantën e krahut.

Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën “Enver Maloku”, ku të dyshuarit me përdorimin e forcës ia kapën çantën në të kishte para të gatshme e dokumentet personale.

Gruaja e ka denoncuar rastin dhe ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë, ku ka treguar të gjitha detajet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat