‘Qoki’ nga Prizreni me të kaluar kriminale përfundon sërish në pranga

Kronikë e zezë

‘Qoki’ nga Prizreni me të kaluar kriminale përfundon sërish në pranga

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 14:18
Ilustrim

I riu me të kaluar kriminale nga Prizreni, Frok Gjugja, i akuzuar vitin e kaluar për fajde e detyrim, është futur sërish në telashe. Ai ka përfunduar në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet si i përfshirë në një rast. Ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Gjugja i cili njihet në rajonin e Prizrenit me nofkën ‘Qoki’ u arrestua të enjten nga Policia në një kafeteri në Prizren.

Qoki dyshohet se ka gisht në një incident të zjarrvënies, rast ky që ishte denoncuar në Polici dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është zbuluar përfshirja e tij.

Sipas informacioneve të para, Gjugja u arrestua nën dyshimet se kishte shtytur dy persona të kryejnë veprën penale “Zjarrvënia”, për motive akoma të panjohura, rast ky që ka ndodhur më herët në Prizren.

Pasi i njëjti është arrestuar, u shoqërua në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore brenda afatit ligjor.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.

Kush është ‘Qoki’

Ndaj tij dhe Anton Domgjonit (i njohur si Genti), që u arrestuan në shkurt të vitit 2022, u ngrit aktakuzë për disa vepra penale: Fajde, Detyrim e Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Frroku dhe Antoni akuzoheshin se kanë shfrytëzuar gjendjen tejet të rënduar financiare të viktimës dhe të njëjtit i kanë ofruar një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e kanë ngarkuar me kamata të larta dhe të papërballueshme.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Gj., nga data 23.11.2020 në vazhdimësi deri më datë 02.02.2022, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Sh.H., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, duke e njohur të pandehurin ngase me të njëjtin kanë jetuar më parë në fqinjësi, shkon tek i pandehuri F.Gj., nga i cili merr 1,000 (njëmijë) euro të holla, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata mujore, i dëmtuari për 14 (katërmbëdhjetë) muaj rresht vazhdon të paguaj nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 (dymijëetetëqind) euro të pandehurit, mirëpo më datë 24.01.2022 kur nuk arrin t’ i jap të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 (njëmijë) eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 (njëzetë) euro, nga të cilat 1,000 (njëmijë) euro i dëmtuari i jep më datë 02.02.2022, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Fajdeja”.“

Po ashtu, i pandehuri “F.Gj., përdor forcën dhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit Sh.H., për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit. Kur i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritë t’i siguroj paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplasë telefonin për toke dhe e godet me grusht në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me dorezë të briskut e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” sipas KPRK-së.”

Ndërsa, “i pandehuri A.D., me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë personin tjetër – të pandehurin F.Gj., kur i pandehuri F.Gj., nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh.H., i paguante kamatat tek i pandehuri A.D., në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit F.Gj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale, “Fajdeja në ndihmë” sipas KPRK-së.“ – thuhej në aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat