Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Këto ngjarje bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Prishtinë, ku një 37-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i biri e ka kanosur seriozisht, pas një mosmarrëveshje që patën në shtëpinë e tyre.
Bazuar në informacionet e para, konflikti verbal eskaloi dhe i dyshuari e mori një thikë, me të cilën e kërcënoi nënën e tij.
Përballë kësaj situate, gruaja ka kërkuar ndihmë dhe si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje.
I dyshuari u arrestua dhe u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ’Dhunë në familje’.