Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur i lënë pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar në fundjavë familja Merovci në Vushtrri, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda shtëpisë së tyre dhe kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme dhe stoli ari.
Pronari i shtëpisë e ka denoncuar rastin në Polici dhe bazuar në dëshminë e tij, hajnat kanë arritur që të vjedhin hiç më pak se 10 mijë euro, si dhe ari në vlerë të mijëra eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.