Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Vetëm ditët e fundit, janë raportuar disa ngjarje të tilla dhe mjaft të trishta që dyshohet se kanë ndodhur në Prishtinë e Pejë. Por, edhe gjatë ditës së djeshme, në Policinë e Kosovës, u denoncua një tjetër rast.
Siç merr vesh media, rasti këtë herë ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut, ku Policia ka arrestuar një burrë 53-vjeçar, i dyshuar për dhunimin e një gruaje 41 vjeçe.
Bazuar në informacionet e para, ishte viktima ajo e cila ka kërkuar ndihmë në Polici, ku ka rrëfyer se është dhunuar nga i dyshuari.
Sipas dëshmisë së saj, të dhënë para hetuesve policorë, ngjarja ka ndodhur në shtëpi dhe burri i dyshuar ka qenë në gjendje të dehur, kur dyshohet se e ka kryer aktin.
Si rezultat i intervenimit të Policisë, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është arrestuar 53-vjeçari.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.