Hajnat bëjnë kërdi në ‘Eri Mobileshop’ në Gjakovë, vjedhin telefona në vlerë të 10 mijë €

Kronikë e zezë

Hajnat bëjnë kërdi në ‘Eri Mobileshop’ në Gjakovë, vjedhin telefona në vlerë të 10 mijë €

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 17:07
Eri Mobileshop

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Një rast i tillë ka ndodhur në një mobishop në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, ku hajnat kanë arritur të thyejnë një kasafortë dhe të marrin telefona.

Vjedhja e rëndë është kryer në “Eri Mobileshop”, ku të dyshuarit kanë shkaktuar dëm që kap vlerën e mijëra eurove.  

Bazuar në informacionet të dyshuarit kanë arritur të hapin një kasafortë dhe nga aty të marrin të gjithë telefonat që kanë gjetur, në vlerë të rreth 10 mijë eurove.

Posa Policia është njoftuar për rastin, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe më pas janë ndërmarrë veprime hetimore.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se si rezultat, Policia ka arritur të zbulojë se hajnat kanë përdorur dy palë targa në veturën me të cilën e kanë përdorur për kryerjen e vjedhjes dhe të njëjtat kanë qenë të vjedhura.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit, për të identifikuar dhe arrestuar personat e përfshirë.

Gazeta  ka kontaktuar edhe pronarin e lokalit, i cili e konfirmoi rastin, por nuk dha detaje të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat