Një person u plagos nga arma e zjarrit të dielën në Fushë Kosovë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar se i njëjti është zyrtar policor dhe se i njëjti në momentin e incidentit ka qenë jashtë detyrës si kalimtar rasti.
“Viktima mashkull kosovar zyrtar policor jashtë detyrës si kalimtar rasti, është plagosur nga dy grupe që kishin mosmarrëveshje në mes vete. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raport.
Policia shton se lidhur me rastin, janë intervistuar dy të dyshuar kosovarë të cilët janë liruar në konsultim me prokurorin, ndërsa një i dyshuar tjetër është arratisur nga vendi i ngjarjes.
“Njësitet policore me urdhër të prokurorit kanë kryer bastisje në lidhje me rastin, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshuar. Në konsultim me prokurorin, janë iniciuar veprat e cekura penale, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet tutje në raport.