Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Vlorë – Gjirokastër, ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit A.R., i cili kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:
– dekonspirim të aksioneve të policisë;
– përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;
– dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;
– kontrabandë me mallra të tjera.