Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datë 12 Nëntor 2024 rreth orës 22:30, në shtëpinë e tij, në Kaçanik, i pandehuri B.D., ka poseduar pa autorizim dhe me qëllim shitje dhe shpërndarje substancë narkotike të dyshuar si marihuanë dhe një sasi kokainë, në atë mënyrë që me rastin e kontrollit nga njësia e policisë të DHTN-së në Ferizaj , në dhomën e tij janë gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 257.5 gram, tri qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë të përgjithshme 1.4 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.6 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 2.1 gram, qese najloni të zbrazëta për paketim të substancave narkotike si dhe dy peshore digjitale ngjyrë hiri dhe një peshore digjitale ngjyrë e zezë, të cilat janë konfiskuar nga ana e policisë”.
“Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së.”
I dyshuari gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.