Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.
Kështu ndodhi edhe të hënën në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një 19-vjeçar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i dyshuari, zyrtarët policorë pas kontrollit policor kanë gjetur një sasi të marihuanës dhe një mjet të mprehtë.
Droga dhe arma e ftohtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.