Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Mon Balaj” në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Mon Balaj’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka theksuar ai.
Sipas tij, policia në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast.
“Ndërlidhur me rastin e mësipërm , veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast. Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati. Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, ka shtuar Borovci.