Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur pa leje të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.
Një rast i tillë është hasur sot nga Policia edhe në Lipjan. Arma pa leje është gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova”, te autoservisi Iveco.
Siç merr vesh media, kontrolli i policisë në këtë vend ka ndodh pasi një punëtor i cili punonte si roje sigurimi gjatë natës në këtë objekt, ishte lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.
Menjëherë pasi kanë pranuar informatën njësitet relevante të policisë, së bashku me forenzikën dhe hetuesit, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet.
Gjatë kontrollit, në kontejnerin ku qëndronte roja, është gjetur një armë zjarri e llojit AK-47 dhe 13 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Arma ishte e mbështjellë me një batanije dhe e vendosur pas shtratit, zbulon sinjali nga burimet.
Për shkak të lëndimeve të marra nga shpërthimi, i dyshuari, i cili është arrestuar, aktualisht ndodhet në trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai ende nuk është intervistuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “armëmbajtje pa leje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.