Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson mjaft shumë shoqërinë, sidomos për faktin se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe brenda institucioneve arsimore. Thika, armë zjarri e mjete tjera të rrezikshme shpesh hasen në duart e nxënësve gjithandej vendit.
Kështu ka ndodhur së fundmi në shkollën e mesme “Hoxhë Kadri Prishtina” në kryeqytet, ku gjatë ditës së djeshme është gjetur një armë zjarri.
Burimet e medias kanë bërë me dije se njësitë policore e kanë gjetur armën në tualet bashkë me karikator e fishek – që janë sekuestruar si prova materiale.
Nxënësi i dyshuar është i moshës 17-vjeçare dhe i njëjti është arrestuar e shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.