Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos mbesin pa përkujdesje. Por, jo rrallëherë personat e dyshuar dalin të jenë të njohur për familjet që janë cak i vjedhjeve.
Kështu dyshohet se ka ndodhur në fshatin Fushticë e Epërme në Drenas, ku në një shtëpi ishte kryer vjedhje para rreth një muaji, ndërsa u denoncua tek tash.
Siç merr vesh media, pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë për vjedhjen e pasaportës dhe të rreth 3 mijë eurove para të gatshme.
Bazuar në dëshminë e tij, vjedhjen e ka kryer fqinji i tij, i cili sipas tij ishte i vetmi në dijeni për vendin ku e kishte lënë çelësin e shtëpisë pasi nuk ndodhej aty.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se fqinji i tij tashmë nuk ndodhet fare në Kosovë dhe s’ka informacione më për të.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për inicimin e rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është hapur hetimi në drejtim të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.