Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka për qëllim veçanërisht rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik, parasheh edhe dënime më të ashpra. Kohët e fundit, jo rrallëherë, Policia është përballur me kanosje e madje edhe me sulme qoftë verbale apo fizike gjatë shqiptimit të gjobave ndaj shkelësve të këtyre rregullave.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Samadrexhë të Suharekës, ku një zyrtare policore është kërcënuar nga një shofer derisa po patrullonin në atë pjesë.
Media ka mësuar se rasti ndodhi pasi policja e dënoi të dyshuarin për kundërvajtje në trafik, për shkak të mosregjistrimit të veturës dhe posedimit të targave të një veture tjetër.
Për pasojë, në shenjë revolte, i dyshuari është kapur verbalisht me policen, duke iu drejtuar me fjalët “E merr vesh kush jom unë, veç je femër se ndryshe kisha vepru…”, thonë tutje të njëjtat burime.
Përballë kësaj situate, ka asistuar një njësi policore dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Kanosje”.