Policia e Kosovës ka ndaluar të dyshuarin G.B , i cili në periudha të ndryshme ishte përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor.
“Me datën 17.12.2024 Sektori Rajonal i Hetimeve nga Njësia e Komunikacionit Rrugor ka pranuar informata se personi G.B ( M/K) i moshës 23 vjeç, me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Ai dyshohet se me datën 08.12.2024, tek rreth rrotullimi që të dërgon në rrugën ” Rexhep Bislimi” në Ferizaj me veturë ka shkaktuar aksident komunikacioni rrugor dhe ka raportuar se janë lënduar edhe dy bashkudhëtaret e tij”, thuhet në njoftim.
Hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit të shtetit, njoftohet se i kanë zgjeruar hetimet dhe në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë në vendin e aksidetit të raportuar, dyshohet se qëllimisht shoferi e rritë shpejtësinë e veturës, duke e goditur një veturë tjetër.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve, hetuesit rajonal kanë siguruar të dhënat shtesë se i dyshuari G.B në periudha të ndryshme ishte përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor, 10 prej tyre në rreth rrotullime dhe kryesisht si viktimë ( i lënduar) i rasteve, ndërsa edhe dy persona tjerë (pasagjerë), në disa raste të këtyre aksidenteve dyshohet se kishin inskenuar rastet se janë lënduar”.
I dyshuari në të gjitha rastet kishte përdorur veturat, të cilat i kishte marrë me qira.
I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit rajonal dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.