Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditës ndaj të dyshuarit G.B., i cili dyshohet se qëllimshëm shkaktoi aksident trafiku, me synim përfitimin e sigurimit.
Sipas njoftimit të policisë, i pandehuri që nga data 17 dhjetor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit”.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar me datën 08 Dhjetor 2024, rreth orës 14:15, në Ferizaj, rr. “Rexhep Bislimi”, saktësisht tek rrethrrotullimi, i pandehuri G.B., me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit nga siguruesi, e dëmton pasurinë e siguruar dhe pastaj e lajmëron rrejshëm dëmtimin.
Në atë mënyrë që qëllimisht shkakton aksident trafiku duke drejtuar veturën të llojit Golf VII dhe në kohë të caktuar rrit shpejtësinë e lëvizjes dhe me anën e majtë të veturës e godet veturën e të dëmtuarës I.T., cila ishte duke lëvizur në rrethrrotullim, ndërsa pësojnë lëndime edhe dy pasagjerët në veturën e të dyshuarit, me çka ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit” nga neni 326 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.