Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se janë ndalur në kohëzgjatje prej 48 orësh tre persona të dyshuar, për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Sipas prokurorisë, dy nga ta shtetas të Sllovakisë ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim në qytetin e Ferizajt.
“Sipas Prokurorisë të njëjtit janë ndaluar për shkak të dyshimit se në një laborator të cilin e kanë ndërtuar në fshatin Sllakoc i Epërm-Komuna e Gjilanit, kanë bërë përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike, andaj, me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ndaj të dyshuarve në këtë rast brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.