Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë zbuluar një laborator klandestin për prodhimin dhe përpunimin e narkotikëve në fshatin Sllakovc i Epërm, Komuna e Gjilanit.
Policia ka ndërmarrë aksionin taktik të koduar “QAFA 2”. Gjatë operacionit janë arrestuar dy shtetas të huaj me inicialet N.H. dhe L.A., shtetas sllovakë, të cilët ishin në cilësinë e ekspertëve për përpunimin e substancave narkotike, si dhe shtetasi kosovar S.I., pronar i shtëpisë ku ndodhej laboratori.
“Antidroga në Ferizaj gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, dy shtetasve të huaj dhe një kosovari iu vihen prangat Prishtinë, 19 dhjetor 2024 Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, njësia në Ferizaj, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore për Krime të Rënda në Ferizaj, për disa javë ka zhvilluar hetime në drejtim të veprës penale ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’.
Sot, me datën 19.12.2024, njësitet e antidrogës kanë realizuar planin taktik të koduar “QAFA 2”, me ç‘rast është realizuar bastisje/kontroll në fshatin Sllakovc i epërm Komuna e Gjilanit, ku gjatë aksionit policor në vendin e ngjarjes janë arrestuar 2 persona të dyshuar shtetas sllovakë me iniciale (N.H. dhe L.A.), të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personi i tretë pronari i shtëpisë me iniciale (S. I.) shtetas kosovar”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në dy dhoma të brendshme të shtëpisë ishin improvizuar laboratorë me pajisje dhe preparate kimike të nevojshme për prodhimin e drogës sintetike të dyshuar të llojit Methamphetamine.
“Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione (dhoma) kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine. Në vendngjarje vërehet substancë e lëngët prekusor (acid), sasia mbetet të konfirmohet, një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë dhe një pjesë rreth 10 litra në proces ende e lëngët.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore: Forenzika qendrore dhe e (DrP) Ferizajt, ekspertë të laboratorit të Forenzikës dhe Njësia e Trajtimit të Mjeteve Eksplozive. Prokurori i rastit dhe kryeprokurori nga Ferizaj janë paraqitur po ashtu në vendin e ngjarjes”.
Përveç bastisjes në Sllakovc, janë kontrolluar edhe katër lokacione të tjera, përfshirë një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi në fshatin Prelez të Ferizajt, por nuk janë gjetur prova të tjera të dyshimta.
“Pas këtyre veprime janë kryer bastisje edhe në 4 lokacione, përfshirë: një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi banimi në fshatin Prelez në Ferizaj, por nuk është gjetur diçka e dyshuar”, thuhet më tej në njoftim.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Policia ka sekuestruar drogën, pajisjet laboratorike dhe një veturë të markës Shkoda si prova materiale.
“Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë e llojit Shkoda janë sekuestruar si prova materiale, kurse rasti vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”.