Kapen 7 mijë euro, ​48 orë ndalim për zyrtarët e arrestuar në Graçanicë

Kronikë e zezë

Kapen 7 mijë euro, ​48 orë ndalim për zyrtarët e arrestuar në Graçanicë

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 21:40
Pamje nga aksioni

Dy zyrtarë komunalë të arrestuar në Graçanicë janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bëhet fjalë për zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrës dhe Pronës, të përfshirë në veprat keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit, pasi kishin kërkuar nga një qytetar 25 mijë euro për përfundimin e një lënde për bartjen e pronësisë.

V.S. dhe Z.M., janë kapur sot në flagrancë, duke pranuar mjetet monetare me qëllim të përfundimit të lëndës.

Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e V.S. ku janë gjetur dhe sekuestruar 5 mijë euro, si dhe në shtëpinë e të dyshuarit tjetër D.F. ku janë gjetur e sekuestruar 2 mijë euro.

Po ashtu janë sekuestruar 7 telefona mobilë personal, pronë e të dyshuarve, të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm.

Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës. Prokurori i lëndës ka shqiptuar masën e ndalimit 48 orë për V.S. dhe Z.M., ndërsa tre personat e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Veprimet hetimore janë kryer në bashkëveprim dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat