22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të huaja u lëshohet urdhër-dëbimi

Kronikë e zezë

22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të huaja u lëshohet urdhër-dëbimi

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj), kanë trajtuar edhe rastet që lidhen me dukurinë e njohur si ‘Escorta’.

Në njoftimin e Policisë thuhet se hetuesit kanë monitoruar faqe të internetit, rrjete sociale e kanë kryer mbledhje të fakteve e provave nga tereni.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj), në vazhdën e realizimit të objektivave vjetore, gjatë vitit 2024, kanë trajtuar edhe rastet që lidhen me dukurinë e njohur si ‘Escorta’… Gjatë vitit, lidhur me këtë dukuri, nën dyshimin për përfshirje në veprimtarinë ‘Marrje me prostitucion’, policia ka trajtuar 22 raste”, thuhet në njoftim.

Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, hetuesit policorë kanë identifikuar 50 persona të dyshuar (26 femra dhe 24 meshkuj).

Kurse, sa i përket shtetësisë, personat e dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari janë: 12 femra shtetase të Kolumbisë, 10 femra shtetase të Venezuelës, 2 femra shtetase të Perusë, 1 femër shtetase e Turqisë, 1 femër shtetase e Ukrainës dhe 24 meshkuj shtetas kosovarë.

Të gjitha këto raste janë  referuar Gjykatave Themelore (Departamenti për Kundërvajtje), ku personat e përfshirë (femra dhe meshkuj) janë dënuar nga gjykatat me gjoba në të holla, ndërsa shtetaseve të huaja nga gjykata u është lëshuar masa plotësuese Urdhër-Dëbim nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalesa e hyrjes prej tre vite në vendin tonë.

“Të gjitha këto raste, për realizimin e masës Urdhër-Dëbim sipas kompetencës është marrë Policia Kufitare. Policia, falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mbetet e përkushtuar të vazhdojë, të hetojë e të merr masa parandaluese ndaj kësaj dukurie dhe rasteve tjera kundër ligjore”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat