Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Kështu po dyshohet se ka ndodhur në një familje në Podujevë, ku u arrestua një 22-vjeçar i dyshuar për dhunë në familje.
Media mëson se bazuar në informacionet e para, i riu dyshohet se e ka ushtruar presion dhe i ka kërcënuar nënën e vëllain e tij, e madje ka ushtruar edhe dhunë fizike.
22-vjeçari i është drejtuar familjarëve me fjalët “kam me iu pre me thikë të gjithëve”, thonë tutje të njëjtat burime.
Si rezultat i raportimit të rastit nga familja, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.