Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi edhe në Podujevë.
Për rastin siç merr vesh media është arrestuar 23-vejçari Edip Haliti.
Ai është kapur pas kontrollit të tij, ku Policia ka hasur në 25 qese me narkotikë të llojit marihuanë, 1 qese kokainë dhe një pistoletë me disa fishekë.
Për shkak të posedimit të armës dhe narkotikëve, 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Burimet e medias kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar dërgimin e tij në mbajtje.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.