Siguria publike në konsiderohet se cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Në plot raste, Policia arrin t’i kap në afat rekord hajnat, të cilët jo rrallëherë rezistojnë dhe i sfidojnë zyrtarët policorë.
Kështu ndodhi së fundmi në një në Deçan, ku Policia arriti ta arrestojë një person që dyshohet se kishte kryer vjedhje në një market dhe i njëjti u kap i armatosur.
I riu që përfundoi në pranga ka kërcënuar edhe zyrtarët policorë që po intervenonin në këtë rast, duke i kanosur me vrasje.
Media ka mësuar se personi që u prangos është Murtez Istrefaj, rreth 34-vjeçar.
Te i dyshuari, Policia ka gjetur një armë zjarri dhe një mjet të mprehtë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Pas arrestimit të 34-vjeçarit, njësia policore ka kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku është përballur me vëllain e të dyshuarit, i cili po ashtu ka kanosur policët dhe është arrestuar.
Ndaj dy vëllezërve Istrefaj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rasteve ndaj secilit veç e veç.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Dyshohet se në një qendër tregtare është kryer një vjedhje nga një person i dyshuar i armatosur. I dyshuari është arrestuar dhe gjatë kontrollit në trup i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë ndërkohë i njëjti i ka kanosur verbalisht tre zyrtarët policor.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është arrestuar vëllai i tij i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i ka kanosur verbalisht zyrtarët policor derisa ishin në bastisje. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit-vëllezër janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime.”