Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj grave në Kosovë kanë marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë të miturat të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona kryesisht të moshës madhore, siç dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Prishtinë. Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit tashmë ka nisur hetimet dhe të përfshirë dyshohet se janë dy persona.
Media ka mësuar detaje ekskluzive nga rasti që u denoncua nga nëna e viktimës
Bazuar në informacionet e para, viktima është një vajzë e moshës 15-vjeçare, e cila po dyshohet se është dhunuar seksualisht nga dy persona të moshës madhore.
Siç merret vesh, sipas dëshmisë që ka dhënë e mitura, dy të dyshuarit e kanë futur në një hyrje të një ndërtese dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me të.
Rastit të rëndë dyshohet se i ka paraprirë një bisedë që ka pasur viktima me burrat e dyshuar, nga të cilët më pas është larguar, por që dyshohet se ia kanë zënë pritën dhe e kanë ndalur.
Nëna e vajzës ka kërkuar ndihmën e Policisë lidhur me rastin dhe tashmë njësitë përkatëse janë vënë në lëvizje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimi është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.