Një person është arrestuar në Istog të enjten pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka kanosur me armë, një grua me të cilën ishte duke bashkëjetuar prej disa ditësh.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se poashtu, dyshohet se prindi i të dyshuarit ka shtënë me të njëjtën armë zjarri (në ajër) në natën e ndërrimit të mot-moteve.
Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar pistoletën e cila dyshohet se është përdorur.
Nuk raportohet për lëndime, viktima me dëshirën e saj është kthyer tek familja e saj.
Me urdhër të prokurorit ndaj prindit të dyshuarit është iniciuar rasti për përdorim të armës dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari për dhunë në familje, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.