Aktakuzë për korrupsion ndaj dy personave në Prizren

Kronikë e zezë

Aktakuzë për korrupsion ndaj dy personave në Prizren

Më: 10 janar 2025 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.B., dhe Sh.P., për shkak të dyshimit “të bazuar mirë” që secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas aktakuzës, siç njofton kjo prokurori, i pandehuri I.., “nga data 03.10.2022 deri me datë 05.01.2023, në Prizren, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon premtimin për një përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pranon se do të ushtrojë ndikim të padrejtë tek bashkëshortja e tij, M.P., e cila ka qenë anëtare e Komisionit në konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të datës 03.10.2022, për vendin e punës sekretare në njërin prej gjimnazeve dhe në njërën prej shkollave fillore në Komunën e Prizrenit, në bazë të të cilit konkurs kishte aplikuar E.P.S., ku i dërgon pyetje nga testi me shkrim, gjithashtu i jep informacion për poentimin maksimal prej 100 pikësh, të dhënë nga bashkëshortja e tij M.P, si anëtare e komisionit, të gjitha këto dhe të tjera komunikime, rezultuan nga komunikimet që i ka zhvilluar i pandehuri, I.B., me të pandehurin Sh.P., në aplikacionet e rrjeteve sociale “Viber” dhe “Whats App””.

“I pandehuri Sh.P., në mënyrë të drejtpërdrejtë i premton përfitim personit tjetër – të pandehurit I.B., në atë mënyrë që ky i fundit të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që i pandehuri Sh.P., të pandehurit I.B., i premton se do t’ia kryejë një punë këtij të fundit, për ndikimin që do ta bëjë i pandehuri I.B., tek bashkëshortja e tij, M.P, si anëtare e komisionit”, thuhet më tej.

Ndërsa i pandehuri, I.B, ia dërgon në telefon të pandehurit Sh.P, kopjen e ftesës me të cilën është ftuar ai si i pandehur lidhur me një çështje penale që zhvillohej pranë Gjykatës Themelore në Prizren.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat