Dy persona të dyshuar janë arrestuar sot nga Hetimet Rajonale të Prishtinës, për një rast të rëndë që ndodhi më 1 janar 2025, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, pranë parkingut të biznesit “Hib Petrol”. Ngjarja kishte përfshirë dy viktima dhe dy të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas informacioneve që ka siguruar media, në vendngjarje ishin përfshirë dy viktima: Faton Alija (24-vjeçar) dhe Visar Salihu (20-vjeçar) të cilët kishin pësuar lëndime serioze dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Mjeku kujdestar kishte informuar se gjendja e tyre kërkonte trajtim të menjëhershëm, duke pamundësuar intervistimin e tyre.
Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së provave të nevojshme, më 11 janar 2025 janë arrestuar dy të dyshuarit – ku mësohet se bëhet fjalë për Erald Hasani (20 vjeçar) dhe Blendi Hyseni (20-vjeçar).
Dy të dyshuarit u arrestuan pasi ngarkohen për veprat penale si: “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe më pas, me vendim të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.