Trendi i parave të falsifikuara ka ‘lulëzuar’ në Kosovë për një kohë të gjatë, ku qindra e mijëra euro false janë vënë përditë në qarkullim. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedhat metalike që më së shumti dalin false janë 1 dhe 2 euro, si dhe kartëmonedhat 50 e 100 euro.
Disa raste janë denoncuar së fundmi nga një zyrtar i bankës TEB në Prishtinë, i cili ka raportuar për deponimin e parave të dyshuara false nga disa klientë.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një shumë jo fort të vogël, para këto që sipas informacioneve të para janë deponuar brenda një periudhe, në bankomatet e bankës.
Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për kartëmonedha si 20, 50 e 100 euro, si dhe monedha metalike.
Si rezultat i denoncimit, paratë janë konfiskuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.