Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të ndara të kalimit të paautorizuar të kufirit me Serbinë, të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.
Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Koshuticë, në komunën e Leposaviqit, më 18 janar 2025, rreth orës 11:55.
Njësia policore, gjatë patrullimit, ndaloi një automjet të drejtuar nga një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin se kishte kaluar ilegalisht kufirin. Pas konsultimit me prokurorin dhe inicimit të rastit, i dyshuari u lirua për procedurë të rregullt.
Rasti i dytë është regjistruar në fshatin Bube, Zubin Potok, po të njëjtën ditë, rreth orës 21:30.
Autoritetet ndaluan një automjet me targa serbe (“BG”), ku ndodheshin katër të dyshuar meshkuj serbë.
Ata dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Republika e Kosovës në Serbi dhe anasjelltas.
Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, të dyshuarit u liruan për procedurë të rregullt hetimore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të monitoruar dhe parandaluar veprimet që cënojnë sigurinë kufitare të vendit.