Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.
Një incident ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Gjilanit, ku dy persona nën kërcënimin e një sëpate dhe thikë i kanë grabitur një personi një zinxhir qafe nga ari edhe një orë dore. Lidhur me rastin, Policia ka identifikuar dy persona ndaj të cilëve është vënë në kërkim.
Media mëson se dy personat e dyshuar për grabitje janë: Endi Dermaku dhe Andi Ibrahimi.
Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur me një veturë me targa vendore.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.