Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku vajzat dhe gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat me të cilët kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes.
Një konflikt familjar ka ndodhur dje në fshatin Gjurkoc në Shtime, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri – tjetrin.
Media mëson se viktima është një 28-vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin para hetuesve policorë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.