Shpërthimi në Pejë ndodhi në shtëpinë e Alban Dizdarit, të akuzuarit në rastin e vrasjes së policëve në Podujevë

Kronikë e zezë

Shpërthimi në Pejë ndodhi në shtëpinë e Alban Dizdarit, të akuzuarit në rastin e vrasjes së policëve në Podujevë

Më: 23 janar 2025 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

U raportua se në një biznes në Pejë ndodhi një shpërthim.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 2 pas mesnate, teksa rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Rugova deklaroi për io se incidenti ndodhi në rrugën “Besnik Lajqi”, aty ku u hodh një granatë dore.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Ai shtoi se nga incidenti, fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar.

Burimet pohojnë se incidenti ka ndodhur në pronën  e Alban Dizdarit.

Dizdari tashmë e sa kohë ka qenë nën gjykim për ndihmë në kryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Dezdari akuzohet se ka ndihmuar të dyshuarin Bedri Krasniqi për të kryer sulmin me armë ndaj një patrulle policore të UNMIK-ut në Podujevë, në marsin e 2004-s.

Sulmi i mori jetën zyrtarit policor të UNMIK-ut, Possible Essuman, dhe zyrtarit policor të Kosovës, Arsim Rrustollit. Sakaq, lëndime trupore kishin pësuar zyrtari policor Basri Mulliqi dhe përkthyeri Ramë Zeneli.

Lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm, zëdhënësi i policisë, Rugova tha se të dyshuarit janë në kërkim.

“Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitet relevante të Drejtorisë rajonale të policisë në Pejë, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe për rastin u njoftua po ashtu edhe prokurori i Shtetit.

Policia është në kërkim të personave të dyshuar, kurse rasti cilësohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Rugova.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat