Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Një rast të tillë e ka raportuar mbrëmë pas mesnate në Polici një grua nga Vushtrria, e cila e denoncoi bashkëshortin e saj për dhunë sistematike.
Sinjali mëson se në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë, viktima ka deklaruar se burri derisa ishte në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, duke e ofenduar e degraduar me fjalë nga më të ndryshmet.
Bazuar në dëshminë e saj, ky nuk është rasti i vetëm, pasi në vazhdimësi ka përjetuar dhunë.
Përballë kësaj situate, ajo vendosi ta denoncojë atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre dhe kërkoi urdhër mbrojtës.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën “Dhunë familje”.