Rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, qoftë në uniformë apo edhe jashtë detyrës zyrtare nuk janë të rralla. Një incident i tillë ka ndodhur dje në Prizren, ku dy persona kanë sulmuar brutalisht zyrtarët policorë në krye të detyrës. Të dyshuarit tashmë janë arrestuar, ndërsa rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Media mëson ekskluzivisht se personat e arrestuar në lidhje më këtë rast janë Nebih Kuqi (rreth 55-vjeç) dhe Engjell Kuqi (rreth 22 vjeç), të cilët janë babë e bir mes vete.
Si pasojë e sulmit brutal, njëri nga policët ka pranuar edhe ndihmë mjekësore, pasi i është thyer hunda.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia, rasti ka ndodhur pasi zyrtarët policorë iu kanë shqiptuar gjobë për kundërvajtje në komunikacion të dyshuarve, ku këta të fundit janë revoltuar dhe kanë kryer sulmin.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48-orë.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ndërsa rasti po hetohet si “Sulm ndaj personave të autorizuar zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.