Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë eskaluar. Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme i shtyjnë ata që të përshihen në përleshje të tilla dhe për pasojë përfundojnë në Polici.
Kështu ka ndodhur së fundmi në familjen Muqolli në Prishtinë, ku janë rrahur dy vëllezër pas një konflikti verbal.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se fillimisht dy të dyshuarit, të moshave 41 dhe 59-vjeçar janë kapur me njëri – tjetrin e më pas ka ndërhyrë vëllai tjetër për t’i ndarë, por e ka pësuar edhe ai.
Rasti është denoncuar menjëherë dhe si rezultat, ka intervenuar një njësi policore.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe kanë rrëfyer në detaje se si ndodhi rasti.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj dy vëllezërve të dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën “Dhunë në familje” dhe masën e ndalimit policor.