Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar një person nën dyshimin se vitin e kaluar kishte tentuar të ndihmonte një kandidat për ta kaluar testin me shkrim për patentë shofer.
Sipas Policisë së Kosovës ngjarja ka ndodhur më 27 gusht të vitit të kaluar, kur në Qendrën për patentë shoferë në Gjilan një i dyshuar kur ishte kontrolluar nga ekzamineri i ishin gjetur pajisje të fshehura elektronike në trup, përfshirë mikrofon, internet dhe mini-kamerë. Dyshohet se tentoi të përdorte ato për ta kaluar jashtëligjshëm testin.
Policia shoqëroi të dyshuarin dhe i konfiskoi pajisjet, ndërsa identifikoi edhe një person tjetër dhe shkoi të kontrollonte banesën e tij, por nuk e gjeti atë.
Policia i kishte lënë ftesë dhe më 10 shkurt të vitit 2025 i dyshuari u paraqit vullnetarisht dhe u intervistuar në prani të avokatit të tij.
“Në bazë të provave të siguruara, ndaj të dyshuarit është ngritur dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit’. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është lëshuar aktvendimi për ndalimin e tij për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta kundër çdo përpjekjeje për manipulim të testeve të patentë shoferëve dhe formave të tjera të mashtrimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.