Një person është gjetur i vdekur në oborrin e një shtëpie në Gjilan, i cili siç deklaron policia, dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.
Sot rreth orës 15:05, policia ka pranuar informacionin se në qytetin e Gjilanit, në oborrin e një shtëpie, ishte një person i shtrirë në tokë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Ai bëri të ditur se pas daljes në vendngjarje, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një person mashkull , i vitit të lindjes 1956, i cili dyshohet se kishte kryer vetëvrasje. Pranë trupit të viktimës është gjetur "një armë zjarri dhe një gëzhojë me të cilën dyshohet se personi të ketë kryer aktin."
"Mjeku kujdestar në vendngjarje ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Në vendngjarje kanë dalë Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan dhe Prokurori i Shtetit, të cilët janë duke punuar në ndriçim dhe sqarim të rrethanave të rastit", tha Osmani.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.