Digjet një diskotekë në Prishtinë, nuk ka të lënduar

Kronikë e zezë

Digjet një diskotekë në Prishtinë, nuk ka të lënduar

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 10:13
Foto ilustrim

Një lokal është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 05:15 në rrugën “Epiri”, në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit për të shuar zjarrin.

“Rreth orës 05:15, është pranuar informata se në rrugën “Epiri” në Prishtinë, një lokal është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit”, ka thënë Borovci.

Sipas tij, deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale.

Borovci theksoi se zjarri ka prekur edhe një objekt në afërsi të objektit që po digjej, ndërkaq për shkaqe sigurie janë larguar disa automjete përreth vendit të ngjarjes.

“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat