Brenda një dite, në disa qytete të Kosovës janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje, ku burrat kanë sulmuar gratë apo familjarët e tyre.
Në disa prej këtyre rasteve, të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa disa janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Podujevë, rreth orës 13:00, një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur në Fushë Kosovë, rreth orës 10:30, ku një burrë ka sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje. Edhe në këtë rast, viktima ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Kaçanik, rreth orës 10:35, një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij pas një konflikti. Ajo ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Pejë, një grua ka raportuar më 13 shkurt se është shqetësuar nga ish-burri i saj. Ngjarja, e cila ka ndodhur më 10 shkurt rreth orës 12:00, është duke u hetuar nga organet e rendit.
Po ashtu në Pejë, rreth orës 14:30, një burrë është arrestuar pasi është përfshirë në një konflikt verbal me dy burra të tjerë. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Klinë, rreth orës 23:50, një burrë është arrestuar për dhunë ndaj gruas së tij. Megjithatë, pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në Rahovec, rreth orës 20:00, ku një burrë ka denoncuar djalin e tij, i cili ka probleme të shëndetit mendor dhe ushtron dhunë ndaj tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar për trajtim në spitalin psikiatrik në Gjakovë.